Një fregatë luftarake ruse ka qëlluar në drejtim të një anijeje civile që mbante flamurin britanik në Kanalin e Lamanshit. Anëtarët e bordit të fregatës lëshuan disa të shtëna paralajmëruese ndaj jahtit civil, i cili ishte afruar rreth 500 metra pranë anijes ushtarake.
Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se ka marrë një raportim për ngjarjen. “Po hetojmë raportet për një incident në Kanalin e Lamanshit”, bëri të ditur një zëdhënës i ministrisë, siç raporton Sky News.
Sipas mediave britanike, incidenti ndodhi rreth 20 milje detare në jug të Ishullit Wight, jashtë ujërave territoriale britanike. Nuk ka njoftime për të lënduar apo dëme në jaht. Autoritetet besojnë se ky duhet konsideruar si një episod i izoluar.

Ky episod pason një klimë tensioni të lartë mes Londrës dhe Moskës, pasi të dielën komandot britanike hipën në bord dhe bllokuan në Lamansh një cisternë ruse nafte të “flotës hije”, të quajtur Smyrtos, e cila ishte nën regjimin e sanksioneve.

