Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka arritur një fitore të pastër dhe bindëse ndaj boksieres nga Zelanda e Re, Jordan Wilson, në kuadër të Kupës së Botës që po mbahet në Brazil.
Sadiku e dominoi përballjen nga fillimi deri në fund. Që në raundin e parë, kundërshtarja e saj u numërua dy herë nga gjyqtari në ring, duke reflektuar epërsinë e qartë të boksieres kosovare. Presioni vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku pas një goditjeje të fortë nga Sadiku, Wilson u detyrua të numërohej sërish.
Në raundin e tretë pati shkëmbim të fortë goditjesh nga të dyja boksieret, por kontrolli i duelit mbeti në duart e Sadikut, e cila në fund u shpall fituese me vendim unanim 5:0.
Në raundin e ardhshëm, Donjeta Sadiku do të përballet me boksieren polake Anet Elizabeth Rigielska, në një sfidë që pritet të jetë shumë më e fortë.
Ndërkohë, në këtë garë po merr pjesë edhe boksieri kosovar Shpëtim Bajoku, i cili u mposht në meçin e parë në kategorinë deri në 65 kilogramë.
Kupa e Botës në Brazil konsiderohet një nga garat më të rëndësishme në boksin amator, në një periudhë tranzicioni për këtë sport pas krijimit të Federatës së re ndërkombëtare, World Boxing.

