Sonte në “Air Albania Stadium” do të zhvillohet finalja e Kupës së Shqipërisë mes Egnatia dhe Dinamo City, një përballje që rikthen rivalitetin e sezonit të kaluar, kur Dinamo ngriti trofeun.
Skuadra nga Rrogozhina hyn në këtë finale me synimin për revansh, ndërsa të dy ekipet vijnë pas një rruge të fortë në gjysmëfinale. Dinamo eliminoi Vllazninë me rezultat të përgjithshëm 2-1, ndërsa Egnatia siguroi finalen vetëm pas penalltive ndaj Elbasanit.
Kjo do të jetë përballja e 34-t mes dy skuadrave në histori. Bilanci favorizon Egnatian me 16 fitore, kundrejt 7 të Dinamos, ndërsa 10 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Edhe statistikat e golave janë në anën e ekipit rrogozhinas, me 39 gola të shënuar përballë 24 të Dinamos.
Sfida e sontme pritet të jetë një nga ndeshjet më emocionuese të sezonit në futbollin shqiptar, sidomos para nisjes së fazës “Final Four”, ku Egnatia dhe Dinamo do të rivalizojnë sërish për titullin kampion.

