E ardhmja e Marvin Çunit duket larg Rusisë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është shumë pranë largimit përfundimtar nga Rubin Kazan, teksa as aventura e tij në formë huazimi te Sampdoria nuk rezultoi e suksesshme. Klubi rus nuk e ka më në planet e tij 24-vjeçarin, për të cilin kishte investuar 2 milionë euro dy vite më parë.
Në këto kushte, Çuni është gati të rikthehet në Itali, një kampionat që e njeh mirë. Sipas raportimeve të “Blucerchiati.net”, në skenë kanë hyrë “komshinjtë” e qytetit të Durrësit, Bari, të cilët po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të sulmuesit shqiptar. Vetë lojtari është i hapur për një kalim të tillë në Serie B, ndërsa pritet që palët të ulen në tryezë për të përcaktuar formulën përfundimtare të marrëveshjes.
Marvin Çuni ka ndërtuar një karrierë të pasur ndërkombëtare, duke qenë pjesë e disa klubeve të njohura europiane, si Freising, Bayern Munich, Sonnenhof, Paderborn, Saarbrucken dhe Frosinone. Një eksperiencë që mund të rezultojë vendimtare për ambiciet e Barit dhe për rilindjen e sulmuesit shqiptar.

