Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, e ka nisur në mënyrë të vështirë aventurën e tij me Beşiktaşin. Në ndeshjen debutuese me bardhezinjtë e Stambollit, 23-vjeçari u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër, duke e mbyllur para kohe paraqitjen e tij të parë me fanellën e re.
Megjithatë, përtej këtij starti jo të dëshiruar, Asllani ka folur së fundmi për arsyet që e shtynë të transferohej në Superligën turke.
Në një intervistë për beIN Sports TR, mesfushori shqiptar ka zbuluar se këshillat vendimtare i ka marrë nga bashkëkombësit e tij.

“Nuk pata mundësi të flisja me Hakan Çalhanoğlu para se të vija këtu.Por diskutova me Ernest Muçin dhe Milot Rashicën, të cilët më thanë gjëra shumë të mira për Beşiktaşin”, ka deklaruar Asllani.
Kristjan Asllani është transferuar te Beşiktaşi në formë huazimi nga Interi deri në fund të sezonit, ndërsa marrëveshja përfshin edhe opsionin e blerjes përfundimtare.
Tashmë, mesfushori synon të lërë pas debutimin e vështirë dhe të fitojë besimin e stafit teknik me paraqitje pozitive në vazhdim.

