Drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtina, Luan Maloku, ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryesisë së klubit, duke përmendur emërime të paligjshme dhe dyshime për keqmenaxhim financiar.
Sipas Malokut, situata problematike ka nisur në muajin korrik, kur kryesia e atëhershme emëroi në pozita drejtuese Feriz Zekolli dhe Arsim Sfirça. Ai deklaroi se këto emërime janë konsideruar të paligjshme, një vlerësim që, sipas tij, ka ardhur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Gjithë ky proces filloi diku në muajin korrik, ku kryesia e vjetër mori një vendim dhe emëroi në pozitën e kryetarit dhe drejtorit gjeneral Feriz Zekollin dhe Arsim Sfirçën. E gjithë kjo rezultoi si emërim i paligjshëm, që erdhi edhe nga Ministria e Sportit”, deklaroi Maloku.
Ai shtoi se reagimi i parë ndaj zhvillimeve erdhi nga tifozët e klubit, Plisat, të cilët kishin kërkuar takim me kryesinë e atëhershme të udhëhequr nga Blerand Stavileci, por sipas tij, nuk kishin gjetur mirëkuptim.
Maloku theksoi se “Plisat” kishin kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me klubin dhe kishin mbështetur rikthimin e Stavilecit në vitin 2022 për të vazhduar sukseset, por pretendon se kërkesat e tyre ishin injoruar. Sipas tij, kryesia e vjetër po përpiqej të fitonte kohë deri në periudhën e sponsorizimeve të dhjetorit. Ai përmendi edhe një kuvend të tensionuar, ku, sipas tij, pati angazhim të mekanizmave shtetërorë dhe prani të shtuar të policisë.
Akuza më e rëndë e Malokut lidhet me menaxhimin e financave të klubit.
“Me të ardhur në zyrë, ne kemi parë që këtu ka pasur shumë keqpërdorime dhe, kur them se në rast se në një klub derdhen rreth 700 mijë euro, që janë derdhur në nëntor dhe dhjetor, dhe në atë klub kur fillon muaji janar nuk ke asnjë para në konto, kjo është keqmenaxhim, për të mos thënë keqpërdorim, por janë organet kompetente. Është shumë jonormale që 700 mijë euro për 30 ditë të avullojnë”, u shpreh ai.
Maloku nuk përmendi përgjegjësi konkrete individuale, duke theksuar se vlerësimin përfundimtar duhet ta bëjnë organet kompetente, ndërsa çështja pritet të trajtohet në instancat përkatëse.

