Futbolli shpesh shihet si lojë numrash dhe taktikash, por këtë edicion në Raiffeisen Liga e Parë emocionet dhe atmosfera në tribuna konfirmojnë një sezon spektakolar.
Gara për dy vendet që sigurojnë ngjitjen në elitë është kthyer në një dramë të vërtetë sportive, duke rikthyer në stadiume atë që shpesh ka munguar: spektaklin në tribuna dhe shpirtin e pastër të tifozëve.
Fitorja e Vëllaznimi ndaj Dinamo e Ferizajt (2:1) ishte një moment tipik i kësaj gare. Përveç rëndësisë së tre pikëve në rrugën drejt Superligës, ndeshja solli edhe një tjetër dimension, atë emocional.
Pamjet nga tribunat folën më shumë se çdo statistikë: festë, pasion dhe madje edhe lot gëzimi nga një tifoz i Vëllaznimit që simbolizon lidhjen e fortë mes klubit dhe qytetit.

