Liga e Parë e Kosovës rikthehet sot me ndeshjet e javës së 30-të, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë në derbin mes Vëllaznimit dhe Lirisë, një duel që mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për kreun.
Të gjitha përballjet e kësaj jave do të nisin nga ora 15:00. Përveç derbit në Gjakovë, në program janë edhe sfidat: 2 Korriku – Feronikeli ’74, Ramiz Sadiku – Tefik Çanga dhe Kika – Dinamo.
Pas 29 javësh të zhvilluara, Dinamo kryeson tabelën me 62 pikë, duke mbajtur pozitën e parë në garën për inkuadrim. Në vendin e dytë renditet Vushtrria me 60 pikë.
Derbi i ditës zhvillohet mes Liria, që mban pozitën e tretë me 59 pikë dhe Vëllaznimi që ndodhet në vendin e pestë me 58 pikë. Diferenca minimale prej vetëm një pike e bën këtë përballje vendimtare në luftën për zonën e kreut.
Ndërkohë, Feronikeli ’74 renditet në pozitën e katërt me 59 pikë dhe synon të përfitojë nga gabimet e rivalëve në transfertën ndaj 2 Korrikut.
Me vetëm pak javë deri në fund të sezonit, gara për promovim po bëhet gjithnjë e më dramatike dhe java e 30-të pritet të sjellë emocione të mëdha në Ligën e Parë.

