Tirana ka fituar derbin e madh të kryeqytetit ndaj Partizanit me rezultat 2:1, në një përballje dramatike të javës së 33-të në Superiore që nisi me vonesë për shkak të tymit të krijuar nga tifozët në “Air Albania”.

Partizani kaloi i pari në epërsi në minutën e 22-të me Human, i cili përfitoi nga një top i marrë në zonë dhe e dërgoi në rrjetë. Tirana reagoi para pushimit dhe iu afrua barazimit me Myslovic, por pa sukses.
Në pjesën e dytë bardheblutë ndryshuan ritmin e lojës dhe fillimisht barazuan në minutën e 65-të me Kreshiq, që realizoi me kokë pas asistimit të Alvarez. Vetëm pak minuta më vonë erdhi edhe goli i përmbysjes, kur Freddy Alvarez shënoi nga goditja e dënimit për rezultatin final 2:1.
Ndeshja u shoqërua edhe me atmosferë të zjarrtë në tribuna, ku tifozët e të dy skuadrave shpalosën banderola ironike dhe ndezën flakadanë, duke shkaktuar edhe shtyrjen e fillimit të takimit.
Me këtë fitore Tirana ngjitet në vendin e shtatë me 35 pikë dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa Partizani mbetet në vendin e pestë dhe komplikon objektivin për t’u futur në “Final Four”.

