José Mourinho ka hedhur poshtë kategorikisht zërat për një interesim nga Real Madrid, duke mohuar çdo kontakt me klubin madrilen.
Trajneri portugez, aktualisht në krye të Benfica, foli në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Famalicaos, ku u shpreh i prerë se nuk ka pasur asnjë komunikim nga “Los Blancos”.
“Jo, askush nga Reali i Madridit nuk më ka kontaktuar. Mund t’ju siguroj për këtë. Kam qenë në futboll për shumë vite dhe i njoh mirë këto situata, por asgjë nga Reali”, deklaroi Mourinho për mediat portugeze.
Ai refuzoi të zgjerohej më tej mbi spekulimet, duke theksuar se fokusi i tij mbetet te skuadra aktuale dhe objektivat sezonalë me Benfikën.
“Nuk mund të them asgjë tjetër. Sa i përket Benfikës, ju e dini situatën. Kam edhe një vit kontratë dhe kjo është e gjitha”, shtoi ai.
Mourinho është nën kontratë me Benfikën edhe për një sezon tjetër, çka e bën të paqartë çdo lëvizje të mundshme në të ardhmen. Megjithatë, zërat për një rikthim të tij në Madrid kanë qarkulluar së fundmi në media, pa ndonjë konfirmim zyrtar.
Deklaratat e tij vijnë në prag të një ndeshjeje të rëndësishme ndaj Famalicaos, ku Benfica synon të vazhdojë rrugën drejt objektivave në kampionat.

