Futbollisti maroken Achraf Hakimi ka reaguar publikisht në lidhje me akuzën për përdhunim ndaj tij, duke theksuar se e kundërshton plotësisht pretendimin dhe se beson në pafajësinë e tij.
Në deklaratën e tij, mbrojtësi ka bërë të ditur se, sipas tij, akuza është e pavërtetë dhe se faktet do ta dëshmojnë këtë në procesin gjyqësor.
“Në ditët e sotme, një akuzë për përdhunim mjafton për të justifikuar një gjyq, edhe pse unë e kundërshtoj dhe gjithçka provon se është e pavërtetë,” thuhet në reagimin e lojtarit.
Ai shtoi se një situatë e tillë është e padrejtë si për personat e pafajshëm, ashtu edhe për viktimat e vërteta që kërkojnë drejtësi.
“Është po aq e padrejtë për të pafajshmit sa edhe për viktimat e sinqerta. Unë e pres këtë gjyq me qetësi, i cili do të lejojë që e vërteta të dalë publikisht,” përfundon deklarata e tij.
Çështja pritet të shqyrtohet nga organet kompetente, ndërsa Hakimi ka shprehur besimin se procesi ligjor do të sqarojë plotësisht situatën.

