Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka përfunduar garën në Kampionatin Evropian pa medalje, duke u renditur në vendin e pestë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Në Tbilisi të Gjeorgjisë, ai u ndal në luftën për medaljen e bronztë, ku u mposht nga turku Bilal Çiloglu, i cili realizoi hedhjen vendimtare në momentet e fundit të duelit.
Gjakova pati paraqitje të fortë gjatë ditës, duke regjistruar fitore ndaj austriakut Samuel Gassner dhe britanikut Benjamin Levy, ndërsa kaloi edhe sfidën e repesazhit ndaj moldavit Adil Osmanov.
Në të njëjtën kategori garoi edhe Dardan Cena, i cili u ndal nga kampioni olimpik Hidayet Heydarov, ndërsa Laura Fazliu u eliminua herët në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Megjithatë, Kosova siguroi medalje në këtë Evropian, pasi Distria Krasniqi fitoi të artën në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke vazhduar serinë e sukseseve për xhudon kosovare.

