Sigal Prishtina ka zyrtarizuar transferimin e basketbollistit Alex Lomax, i cili i bashkohet bardhekaltërve si përforcimi më i ri në radhët e skuadrës. Lomax luan në pozitën e organizatorit dhe vjen me përvojë të konsiderueshme nga liga të ndryshme evropiane dhe amerikane.
Së fundmi, Lomax ka qenë pjesë e skuadrës boshnjake Zrinjski HT Mostar, ku në 8 paraqitje ka regjistruar mesatarisht 18.8 pikë, 5 kërcime dhe 4.4 asistime për ndeshje. Më herët, ai ka luajtur edhe në Bullgari me Spartak Pleven, duke shënuar 10.6 pikë për ndeshje, si dhe në NBA G League me Greensboro Swarm, ku është paraqitur në 15 ndeshje.
Basketbollisti amerikan ka qenë gjithashtu pjesë e Borës, ekipit tjetër nga kryeqyteti, ku në 20 ndeshje ka pasur mesatare prej 15.3 pikësh për ndeshje.
Transferimi i Lomax vjen pas largimit të Khalil Dukes nga Sigal Prishtina, teksa klubi synon të forcojë repartin e organizimit për pjesën e mbetur të sezonit.

