Sulmuesi i Kombëtares së Shqipëria, Arbër Hoxha, mund të jetë pranë një lëvizjeje të re në karrierën e tij, teksa raportimet e fundit e lidhin me një transferim të mundshëm gjatë verës.
Sipas mediumit polak Meczyki, lojtari është në radar të Widzew Łódź, i cili synon të sigurojë shërbimet e tij në merkaton e ardhshme.
Klubi polak raportohet se është i gatshëm të paguajë rreth 5 milionë euro për kartonin e Hoxhës, i cili aktualisht është pjesë e Dinamo Zagreb. Megjithatë, realizimi i këtij transferimi mbetet i kushtëzuar nga qëndrimi i Widzew Łódź në elitën e futbollit polak, pasi skuadra aktualisht ndodhet në zonën e rrezikut dhe përballet me mundësinë e rënies nga liga.

Widzew ka treguar vazhdimisht besim te futbollistët shqiptarë, pasi në përbërje ka edhe emra si Juljan Shehu, Lindon Selahi dhe Andi Zeqiri.
Ndërkohë, klubi polak zotëron edhe kartonin e mbrojtësit të Kosovës, Dion Gallapeni, i cili në janar u huazua te Wisła Płock, me opsion blerjeje nga ana e këtij të fundit.

Arbër Hoxha së fundmi ishte protagonist me Kombëtaren, duke shënuar golin e vetëm për Shqipërinë në humbjen 2-1 ndaj Polonisë, një rezultat që solli eliminimin e kuqezinjve nga “play-off”-i i Kupa e Botës FIFA 2026.

