Crystal Palace ka fituar trofeun e parë europian në histori, pasi triumfoi në finalen e Conference League me rezultat minimal 1:0 ndaj Rayo Vallecano.
Finalja e madhe u zhvillua në stadiumin Red Bull Arena Leipzig, aty ku skuadra angleze tregoi më shumë qetësi dhe menaxhim të lojës në momentet vendimtare.
Golin e vetëm dhe të fitores për Crystal Palace e realizoi sulmuesi francez Jean-Philippe Mateta në minutën e 51-të. Pas një aksioni të shpejtë në zonë, ai reagoi me qetësi nga afërsia dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë ekipit londinez avantazhin që rezultoi vendimtar deri në fund të takimit.
Rayo Vallecano provoi të reagojë pas golit të pësuar, por skuadra spanjolle nuk arriti të gjejë hapësira ndaj mbrojtjes së organizuar të anglezëve.
Futbollisti shqiptar Ivan Balliu mbeti në bankën rezervë dhe nuk u aktivizua asnjë minutë në këtë finale europiane, ndërsa Rayo e mbylli mbrëmjen me zhgënjim pas humbjes së trofeut.
Për Crystal Palace, ky sukses konsiderohet historik dhe mund të shënojë fillimin e një epoke të re për klubin në arenën europiane.

