Dy spanjollët që u rritën te Barcelona përballen për trofeun evropian
Historia e futbollit shpesh dhuron skenarë të pabesueshëm, ndërsa këtë herë në qendër janë Luis Enrique dhe Mikel Arteta.
Dy trajnerët spanjollë, që dikur ndanin të njëjtin ambient te FC Barcelona, sot do të luftojnë për trofeun më të madh evropian në nivel klubesh.
Në fundin e viteve ’90, Luis Enrique ishte një nga figurat kryesore të Barcelonës, lider në fushë dhe simbol i mentalitetit fitues të klubit katalanas. Në anën tjetër, Arteta ishte vetëm një talent i ri i akademisë, që stërvitej pranë ekipit të parë dhe mësonte nga lojtarët që dominonin futbollin evropian në atë periudhë.
Vetë Arteta ka pranuar në disa raste se ajo periudhë në Barcelonë ndikoi shumë në filozofinë e tij si trajner. Ndërkohë, Enrique ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme si lojtar dhe më pas si trajner, duke fituar trofe të mëdhenj me Barcelonën dhe tani duke udhëhequr projektin ambicioz të ekipit të tij drejt finales.
Pas 27 vitesh, rrugët e tyre kryqëzohen sërish, por kësaj radhe jo si mentor dhe nxënës. Tani janë dy strategë të mëdhenj të futbollit modern që do të duelojnë për lavdi në natën më të madhe evropiane.

