Gana do ta nisë aventurën në Kupën e Botës 2026 pa një nga futbollistët e saj më të rëndësishëm. Mesfushori Thomas Partey nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen hapëse ndaj Panamasë, e cila zhvillohet nesër në Toronto.
Futbollisti i Villarrealit ka mbetur në kampin stërvitor të kombëtares ganeze në Rhode Island, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka udhëtuar drejt Kanadasë për sfidën e parë të Grupit.
Arsyeja e mungesës së Partey nuk lidhet me gjendjen fizike apo ndonjë dëmtim. Mesfushori është në formë të mirë dhe pritej të ishte titullar, por autoritetet kanadeze i kanë refuzuar vizën e hyrjes në vend.
Vendimi lidhet me procesin gjyqësor që futbollisti po përballet në Londër. Partey akuzohet për shtatë raste të përdhunimit dhe një rast sulmi seksual, akuza të cilat ai i ka mohuar, duke u deklaruar i pafajshëm. Çështja është bashkuar në një procedurë të vetme dhe gjykimi është shtyrë për vitin 2027.
Pavarësisht situatës ligjore, Partey ka vazhduar aktivitetin normal sportiv me klubin dhe kombëtaren. Megjithatë, autoritetet kanadeze kanë vendosur të mos i lejojnë hyrjen në territorin e tyre gjatë zhvillimit të Botërorit.
Lajm më i mirë për Ganën është fakti se mesfushori mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e tjera të grupit, ndaj Kroacisë dhe Anglisë, pasi të dyja takimet do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

