Eintracht Frankfurt ka vendosur të ndahet nga trajneri Dino Toppmöller, raportojnë mediat gjermane Sky dhe Bild. Klubi i Bundesligës ka reaguar ndaj paraqitjeve të dobëta në mbrojtje dhe rezultateve zhgënjyese të skuadrës në javët e fundit.
Sipas raportimeve, Toppmöller është liruar nga detyra me efekt të menjëhershëm, vetëm pak më shumë se 48 orë pas barazimit zhgënjyes 3:3 ndaj Werder Bremen, ndeshje në të cilën Frankfurt pësoi gol në minutat e fundit.
Të shtunën është zhvilluar një mbledhje krize e drejtuesve të klubit, e udhëhequr nga drejtori sportiv Markus Krösche. Eintracht e nisi vitin e ri me vetëm dy pikë në tri ndeshje, duke pësuar plot nëntë gola.
Në total, Frankfurt ka pësuar 39 gola në 18 ndeshje, duke u renditur mes mbrojtjeve më të dobëta të Bundesligës këtë sezon.
Pas ndeshjes ndaj Werder Bremen, Markus Krösche shmangu dhënien e mbështetjes së plotë për Toppmöller. I pyetur nëse trajneri do të vazhdonte në krye të ekipit, ai deklaroi:
“Do ta diskutojmë këtë. Duhet t’i adresojmë problemet dhe të sigurohemi që paraqitje të tilla të mos përsëriten më.”
Situata është e tensionuar edhe në arenën ndërkombëtare. Të mërkurën, Eintracht Frankfurt luan një ndeshje vendimtare ndaj Karabakh Agdam në Azerbajxhan, ku synon të shmangë eliminimin e hershëm nga Liga e Kampionëve. Edhe aty, skuadra ka pësuar shumë gola – plot 16 – duke rritur presionin mbi stafin teknik.
Vendimi për shkarkimin e Toppmöller vjen si përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e sezonit dhe për të rikthyer stabilitetin sportiv te Eintracht Frankfurt.

