Egnatia po përgatitet për një tjetër aventurë në arenën evropiane, pas shpalljes kampione e Shqipërisë për të tretin vit radhazi. Skuadra nga Rrogozhina synon të bëjë hapin e madh dhe të sigurojë për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të një kompeticioni evropian.
Kampionët e Shqipërisë do ta nisin rrugëtimin nga turi i parë kualifikues i UEFA Champions League, aty ku shorti mund t’i vendosë përballë disa rivalëve të fortë.
Për shkak të koeficientit të ulët të Shqipërisë, Egnatia do të jetë në vazon e skuadrave jofavorite, çka e bën më të vështirë rrugën që në raundin e parë. Tashmë janë përcaktuar edhe kundërshtarët e mundshëm që mund të dalin përballë rrogozhinasve.
Vëmendjen më të madhe e tërheq mundësia e një përballjeje me Dritën e Gjilanit. Një short i tillë do të sillte një duel mbarëshqiptar në Champions League, me interes të jashtëzakonshëm për tifozët në Shqipëri dhe Kosovë.
Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, ka bërë të qartë se skuadra nuk do të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen, por do të tentojë të shkruajë histori në garat evropiane.
Pas dominimit në kampionatin shqiptar dhe investimeve të vazhdueshme në vitet e fundit, Egnatia kërkon të tregojë forcën edhe jashtë vendit. Misioni pritet të jetë i vështirë, por kampionët e Shqipërisë kanë dëshmuar se dinë të surprizojnë dhe janë gati për sfidat e mëdha që i presin.

