Rrugëtimi i Përfaqësueses së Kosovës në futsall drejt Botërorit 2028 po merr formën e një historie serioze suksesi, e ndërtuar mbi rezultate bindëse dhe një identitet gjithnjë e më të qartë në lojë. Dy fitoret radhazi në miniturneun kualifikues në Igalo të Malit të Zi, fillimisht 11:0 ndaj Gjibraltarit dhe më pas 6:3 ndaj Austrisë nul janë vetëm statistika, por tregues i një skuadre që po rritet me hapa të mëdhenj.
Fillimi ishte spektakolar. Fitorja e thellë ndaj Gjibraltarit dëshmoi diferencën në cilësi dhe përgatitje, me Kosovën që dominoi nga minuta e parë. Në këtë përballje shpërndarja e golave tregoi një ekip të balancuar dhe të rrezikshëm në çdo repart ofensiv.
Sfida ndaj Austrisë, ndërkohë, ishte testi i vërtetë. Përballë një kundërshtari më të fortë, Kosova tregoi pjekuri dhe karakter, duke triumfuar 6:3 në një ndeshje ku u pa qartë rritja taktike dhe psikologjike e ekipit. Ky rezultat vulosi edhe vendin e parë në grup, një arritje që i jep peshë edhe më të madhe këtij kualifikimi.

Në qendër të këtij suksesi është puna e kryetrajnerit Agon Ramadani dhe stafit të tij, të cilët kanë ndërtuar një grup kompakt dhe me ide të qarta loje.
“Në bazë të kualitetit që kemi, e kemi pasur obligim të kalojmë rundin e parë ku kishim përballë Austrisë, Gjibraltarit dhe Malit të Zi. Por këtë herë, ndryshe nga herët e kaluara, kemi besuar jashtëzakonisht shumë që mund të arrijmë edhe vendin e parë në grup, gjë që nuk e kishim bërë më herët. Ky sukses na ka gëzuar dhe na jep shpresë që jemi në rrugën e duhur dhe që po rritemi gjithnjë e më shumë si Kombëtare”, deklaroi Ramadani për Mërgata Tv.
Trajneri theksoi gjithashtu se për të qenë konkurrues në nivele më të larta, kërkohet angazhim maksimal gjatë gjithë vitit, jo vetëm në grumbullimet me përfaqësuesen.
“Sigurisht, nëse duam të përballemi denjësisht me kombëtaret e niveleve të larta, duhet përkushtim më i madh i lojtarëve në klubet e tyre. Koha në grumbullim me Kombëtaren është e shkurtër dhe lojtarët duhet të jenë të vetëdijshëm që pa sakrificë gjatë gjithë vitit nuk mund të përballemi me ta. Synojmë gjithashtu ndeshje të forta miqësore dhe të testojmë edhe lojtarë të tjerë, që të jemi sa më të përgatitur për ndeshjet në ‘Main Round’”, shtoi ai.
Kualifikimi në fazën “Main Round” nuk ka ardhur rastësisht. Ai është rezultat i një pune të vazhdueshme, i një strukture që po konsolidohet dhe i një vizioni të qartë që po e shtyn futsallin kosovar drejt një niveli më të lartë. Për një sport që për vite të tëra ka qenë në periferi, këto rezultate përbëjnë një kthesë të rëndësishme dhe një sinjal të fortë se Kosova po bëhet gjithnjë e më konkurruese në arenën ndërkombëtare.

