Ndeshja e madhe mes Barcelonës dhe Real Madridit, e njohur si “El Clasico”, po shoqërohet me një interesim të jashtëzakonshëm, duke sjellë edhe çmime rekord për biletat.
Takimi që zhvillohet më 10 maj pritet të luhet në një stadium të mbushur, ndërsa katalanasit mund ta shndërrojnë këtë përballje në festë titulli, pasi u mjafton edhe një barazim për t’u shpallur kampionë.
Kërkesa e madhe për bileta ka bërë që çmimet të rriten ndjeshëm, sidomos për shkak se stadiumi i Barcelonës ende nuk është plotësisht funksional dhe operon me kapacitet të kufizuar.
Aktualisht, në treg janë hedhur kryesisht bileta VIP dhe VIP Premium, me çmime që nisin nga 1,750 euro dhe arrijnë deri në 2,750 euro. Megjithatë, për përvojë më ekskluzive, ekzistojnë edhe vende në zonën presidenciale, ku tifozët mund ta ndjekin ndeshjen pranë drejtuesve të klubeve, me çmim që shkon deri në 12,500 euro për një vend.
Po ashtu, opsione të tjera përfshijnë bileta në “Pitch Row Tribune” dhe “Central Side” me rreth 8,000 euro, ndërsa vende të tjera si “Pitch Row Side” kushtojnë rreth 6,000 euro. Çmimet për zonat “Balcony Goal” variojnë nga 2,750 deri në 3,000 euro.
Rekordi i mëparshëm i të ardhurave për një “El Clasico” ishte regjistruar sezonin e kaluar, me 13.8 milionë euro, ndërsa këtë herë pritet që shifrat të tejkalohen, duke konfirmuar edhe një herë se kjo përballje mbetet një nga ngjarjet më të mëdha në futbollin botëror

