FC Ballkani ka siguruar vazhdimësinë e një prej lojtarëve kyç të repartit ofensiv, duke rinovuar kontratën me sulmuesin algjerian Walid Hamidi deri në vitin 2029.
29-vjeçari është pjesë e skuadrës nga vera e vitit 2023 dhe gjatë kësaj periudhe është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të ekipit. Me paraqitje të qëndrueshme dhe kontribut të vazhdueshëm në fazën sulmuese, Hamidi ka qenë një element i rëndësishëm në sukseset e klubit.
Deri më tani, ai ka regjistruar 96 ndeshje me fanellën e Ballkanit, duke realizuar 15 gola dhe 13 asistime. Hamidi ishte pjesë kyçe e skuadrës që fitoi titullin kampion në vitin 2024, si dhe kontribuoi ndjeshëm në aventurën e suksesshme evropiane të atij sezoni.
Edhe sezoni aktual po kalon në formë shumë të mirë për sulmuesin algjerian. Në 16 ndeshje të zhvilluara, ai ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke qenë një nga kontribuuesit kryesorë në repartin ofensiv.
Me këtë rinovim, Ballkani konfirmon besimin e plotë te “bomberi” i skuadrës, duke ndërtuar vazhdimësinë mbi bazën e lojtarëve që kanë dëshmuar vlerë dhe stabilitet në vitet e fundit.

