Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes së Superligës mes KB Vëllaznimit dhe KB Sigal Prishtinës në palestrën “Shani Nushi”, ku gjyqtari Erzen Haxhani u sulmua fizikisht nga zyrtari i Vëllaznimit, Jeton Bakalli.
Në një komunikatë zyrtare, FBK e ka cilësuar këtë veprim si një akt të rëndë dhune, i papranueshëm për sportin dhe për çdo standard institucional. Federata thekson se sulmi përbën shkelje serioze të rendit sportiv dhe cenim të integritetit të garës.
“FBK ka politikë të tolerancës zero ndaj çdo forme dhune ndaj zyrtarëve të ndeshjeve. Siguria, dinjiteti dhe autoriteti i gjyqtarëve janë të panegociueshme. Çdo sulm ndaj tyre është sulm ndaj vetë basketbollit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e federatës.
Rasti do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe priten masa disiplinore të rrepta ndaj individëve dhe subjekteve përgjegjëse, në përputhje me rregulloret në fuqi. Federata gjithashtu kërkon përgjegjësi të plotë nga klubet për sjelljen e zyrtarëve të tyre, duke nënvizuar se organizimi i garave nuk mund të zhvillohet në kushte ku siguria e gjyqtarëve vihet në rrezik.
FBK përfundon mesazhin duke theksuar: “Kush ushtron dhunë nuk ka vend në basketbollin e Kosovës, dhe pa siguri për gjyqtarët nuk mund të ketë garë të rregullt, drejtësi sportive dhe kampionat.”

