FIFA është vënë nën hetim në Shtetet e Bashkuara për mënyrën e shitjes së biletave të 2026 FIFA World Cup, pas ankesave të shumta nga tifozët për çmime tepër të larta dhe probleme me vendet në stadiume.
Hetimi është nisur zyrtarisht nga shtetet e New York dhe New Jersey, të cilat po kërkojnë sqarime nga FIFA lidhur me procesin e biletarisë për turneun që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Prokuroret e përgjithshme, Letitia James dhe Jennifer Davenport, konfirmuan se hetimi erdhi pas raportimeve mediatike që sugjerojnë se shumë tifozë mund të jenë mashtruar për vendndodhjen reale të ulëseve që kishin blerë.
Sipas autoriteteve amerikane, deklaratat publike të FIFA-s dhe mënyra e organizimit të shitjes së biletave mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen enorme të çmimeve në treg.
Një pjesë kyçe e hetimit lidhet me tetë ndeshjet që do të zhvillohen në MetLife Stadium, përfshirë edhe finalen e madhe të 19 korrikut. Dyshohet se disa tifozë kanë paguar për kategori më të mira, por kanë përfunduar në vende më të dobëta në stadium.
Kjo nuk është hera e parë që FIFA kritikohet për çështjen e biletave të Botërorit. Më herët, edhe prokurori i përgjithshëm i California, Rob Bonta, kishte kërkuar sqarime për “praktika potencialisht mashtruese” pas investigimeve të publikuara nga mediat amerikane.
Ndërkohë, organizata Football Supporters Europe ka akuzuar FIFA-n për “zhvatje” dhe “tradhti ndaj tifozëve”, për shkak të çmimeve që konsiderohen jashtëzakonisht të larta.
Nga ana tjetër, FIFA është mbrojtur duke deklaruar se hartat e stadiumeve të shfaqura gjatë procesit të blerjes kanë qenë vetëm “indikative” dhe mund të ndryshonin gjatë organizimit final të eventit.

