Federata e Futbollit e Kosovës ka zyrtarizuar termin e finales së Kupës së Kosovës për edicionin aktual.
Ndeshja finale do të zhvillohet më 21 maj, me fillim nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku për trofeun do të përballen Ferizaj dhe Dukagjini i Klinës.
Të martën është hedhur edhe shorti për përcaktimin e skuadrës “nikoqire” të finales, ndërsa fati i buzëqeshi Ferizajt, që do ta ketë të drejtën për përzgjedhjen e fanellave dhe bankinës.
Për të dy skuadrat kjo finale ka rëndësi historike, pasi si Ferizaj ashtu edhe Dukagjini synojnë ta fitojnë për herë të parë Kupën e Kosovës.
Finalja pritet të sjellë atmosferë të zjarrtë në kryeqytet, pasi të dy klubet kanë bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm deri në aktin final dhe tani janë vetëm 90 minuta larg trofeut.

