Derbi i madh italian mes Inter dhe Juventus dhuroi një përballje spektakolare, me përmbysje, tension dhe vendim në minutat e fundit.
Zikaltërit kaluan në epërsi që në minutën e 17-të, pas një autogoli të Andrea Cambiaso, që i dha avantazhin vendasve në një fillim të fortë të takimit. Megjithatë, mbrojtësi italian reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar në portën kundërshtare në minutën e 26-të për të barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë, ritmi u rrit ndjeshëm. Interi arriti të rikthejë epërsinë në minutën e 76-të me anë të Francesco Pio Esposito, i cili konkretizoi një aksion të bukur ofensiv. Edhe pse me një lojtar më pak në fushë, Juventusi nuk u dorëzua.
Në minutën e 83-të, Manuel Locatelli barazoi rezultatin në 2-2, duke rikthyer dramën në “San Siro”. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, në skenë doli Piotr Zieliński.
Mesfushori polak shënoi golin e fitores në minutën e 90-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-2 dhe duke i dhënë Interit tre pikë të arta.
Me këtë fitore, Interi ngjitet në kuotën e 61 pikëve dhe kryeson renditjen në Serie A, me tetë pikë më shumë se Milani i vendit të dytë.
Ndërkohë, Juventusi mbetet në vendin e pestë me 46 pikë, duke komplikuar objektivat për zonën Champions.

