Procesi gjyqësor për vrasjen e ish-udhëheqësit historik të tifozëve ultras të Interit, Vittorio Boiocchi, po vazhdon në Milano, ndërsa dëshmitë e fundit kanë hedhur dritë mbi konfliktet dhe strukturat kriminale brenda grupimeve ultras në Itali.
Daniel D’Alessandro, një nga të akuzuarit kryesorë në këtë çështje, ka pranuar përfshirjen e tij në atentatin që ndodhi në vitin 2022 pranë banesës së Boiocchi-t. Gjatë dëshmisë në gjykatë, ai deklaroi se kishte vepruar nën ndikimin e drogës dhe për motive financiare.
Sipas rrëfimit të tij, fillimisht ishte kontaktuar vetëm për të shërbyer si shofer, por më pas situata kishte eskaluar deri në realizimin e planit kriminal. D’Alessandro theksoi se në momentin e ngjarjes nuk e kishte ditur se objektivi ishte pikërisht ish-lideri i “Curva Nord”.
Ai gjithashtu kërkoi falje publike ndaj familjes së viktimës, duke shprehur pendesë për rolin e tij në ngjarje.
Në të njëjtin proces ka dëshmuar edhe Andrea Beretta, ish-udhëheqës i ultrasve të Interit, i cili aktualisht po bashkëpunon me autoritetet italiane. Beretta ka folur për tensionet dhe konfliktet e brendshme në grup, duke deklaruar se marrëdhëniet mes anëtarëve ishin shndërruar nga “miqësi dhe vëllazëri” në përplasje të dhunshme për pushtet, kontroll dhe ndikim.
Sipas mediave italiane, hetuesit dyshojnë se grupet ultras kishin krijuar lidhje me aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës dhe përfitimet financiare nga kontrolli i aktiviteteve rreth stadiumeve.
Vittorio Boiocchi u vra me armë zjarri në tetor të vitit 2022 jashtë shtëpisë së tij në Milano, në një ngjarje që tronditi jo vetëm tifozërinë zikaltër, por gjithë futbollin italian.
Hetimet për rastin vazhdojnë ende, ndërsa drejtësia italiane po përpiqet të zbardhë plotësisht rrjetin dhe motivet pas ekzekutimit të ish-liderit ultras.

