Superylli i Real Madrid, Jude Bellingham, ka rrëfyer një nga momentet më të vështira në karrierën e tij, duke zbuluar edhe një vendim për të cilin shpreh pendesë.
Mesfushori anglez është rikthyer së fundmi në fushë pas një mungese prej shtatë javësh për shkak të një dëmtimi në kofshë, ndërsa paraqitja në derbin e Madridit shënoi rikthimin e tij të shumëpritur.

Megjithatë, sipas vetë lojtarit, periudha më e vështirë nuk ka qenë kjo e fundit. Në një rrëfim në aplikacionin e tij “JB5”, të cituar nga Cadena SER, ai ka kujtuar dëmtimin në shpatull që pësoi në muajin nëntor, pak kohë pas transferimit te “Los Blancos”.
“Ishte ndjesia më e dhimbshme që kam përjetuar. M’u duk sikur zgjati një përjetësi derisa ma vendosën shpatullën në vend… edhe pse ishin vetëm 90 sekonda”, u shpreh Bellingham.

Ai zbuloi se problemet me shpatullën i kishte që nga koha kur ishte pjesë e Borussia Dortmund, ku mjekët i kishin rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale që në fillim të sezonit. Megjithatë, ai vendosi ta shtyjë operacionin për shkak të Kupa e Botës FIFA 2022.
Edhe pas transferimit te Real Madridi, lojtari vendosi të mos operohej menjëherë, për të mos humbur muaj të rëndësishëm në sezonin e tij të parë në “Santiago Bernabéu”.
“Luaja duke e ditur se nëse bie, mund të dalë sërish. Kjo më pengonte të isha në nivelin tim më të mirë,” pranoi ai.

Bellingham tregoi gjithashtu se kishte mundësinë të kryente operacionin në verën e vitit 2024, por pas humbjes së finales së UEFA Euro 2024 ndaj Spanjes, nuk dëshironte që ai moment të ishte kujtimi i fundit për disa muaj jashtë fushës.

