Juventusi po intensifikon përpjekjet për të përforcuar repartin ofensiv në orët e fundit të afatit kalimtar, teksa pista për rikthimin e Randal Kolo Muani ka dështuar për mungesë hapjeje nga klubi i tij aktual.
Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit bardhezinj kanë kthyer vëmendjen te Mauro Icardi, duke nisur kontaktet për një transferim të mundshëm të sulmuesit argjentinas. Icardi ndodhet drejt fundit të kontratës dhe aktualisht nuk po gjen hapësira të mjaftueshme te Galatasaray.

Juventusi i ka propozuar 31-vjeçarit një kontratë njëvjeçare e gjysmë, duke e parë atë si një zgjidhje me eksperiencë për fazën vendimtare të sezonit. Mes palëve ekziston respekt i ndërsjellë, ndërsa trajneri Luciano Spalletti e ka drejtuar më herët Icardin gjatë kohës së tyre te Interi.
Megjithatë, operacioni mbetet i ndërlikuar, kryesisht për shkak të kohës së limituar dhe faktit që Galatasaray duhet të gjejë një zëvendësues në rast largimi të argjentinasit. Situata bëhet edhe më interesante duke pasur parasysh se klubi turk do të jetë kundërshtari i Juventusit në play-offin e Ligës së Kampionëve, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimin final.
Ditët dhe orët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Mauro Icardit dhe për lëvizjet e fundit të Juventusit në merkato.

