Sulmuesi i Kombëtares së Irakut, Aymen Hussein, është ndaluar dhe marrë në pyetje për gati shtatë orë nga autoritetet amerikane në aeroportin “O’Hare” të Çikagos, menjëherë pas mbërritjes së skuadrës në Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve, gjatë qëndrimit të tij në izolim, autoritetet kanë kryer kontrolle të detajuara, përfshirë edhe telefonin celular të futbollistit. Pas përfundimit të procedurave, Husseinit iu lejua hyrja në SHBA dhe ai iu bashkua pjesës tjetër të ekipit.
Megjithatë, fotografi i Kombëtares së Irakut, Talal Salah, nuk pati të njëjtin fat. Ai u mbajt për më shumë se 10 orë nga autoritetet amerikane dhe në fund iu refuzua hyrja në vend, duke u dëbuar.
Deri tani, as Federata Irakiane e Futbollit dhe as vetë Aymen Hussein nuk kanë reaguar publikisht për incidentin. Po ashtu, Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave (ICE) nuk ka dhënë koment zyrtar lidhur me rastin.
30-vjeçari konsiderohet figura kryesore e repartit ofensiv të Irakut. Ishte pikërisht goli i tij që siguroi kualifikimin historik të Irakut në Kupën e Botës, duke i dhënë fund një mungese 40-vjeçare në turneun më prestigjioz të futbollit.
Iraku do të garojë në Grupin I të Kupës së Botës 2026, ku do të përballet me Francën, Senegalin dhe Norvegjinë.

