Alain Prost, katër herë kampion bote në Formula 1, ka mbetur i lënduar pas një grabitjeje të dhunshme në banesën e tij në Zvicër.
Sipas mediave zvicerane, persona të maskuar kanë hyrë me forcë në shtëpinë e ish-pilotit francez në orët e para të mëngjesit, ndërsa familjarët ndodheshin brenda. Autorët kanë kërcënuar banorët dhe kanë marrë sende me vlerë nga kasaforta e banesës.
71-vjeçari raportohet se ka pësuar një dëmtim të lehtë në kokë gjatë incidentit, ndërsa Prokuroria e kantonit Vaud ka nisur hetimet për rastin.
Në deklaratën zyrtare bëhet e ditur se grabitësit detyruan një anëtar të familjes të hapte kasafortën dhe më pas u larguan me plaçkën. Pavarësisht kontrolleve të shumta, autorët ende nuk janë identifikuar.
Sipas gazetës zvicerane Blick, Prost është larguar përkohësisht nga banesa e tij në Nyon, pranë Liqenit të Gjenevës, pasi ka mbetur i tronditur nga ngjarja.

