E ardhmja e pankinës së Real Madrid vijon të mbetet temë e nxehtë në Spanjë. Sipas raportimeve të fundit, ish-trajneri i Liverpool , Jürgen Klopp, ka përgatitur një draft-plan me ndryshime të thella në rast se do të marrë drejtimin e “Los Blancos” sezonin e ardhshëm.
Aktualisht, madrilenët drejtohen nga Álvaro Arbeloa, por rezultatet e paqëndrueshme në kampionat kanë shtuar spekulimet për një ndryshim në krye të stolit, pavarësisht avancimit në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Humbja e fundit në shtëpi në La Liga ka rritur presionin, me ekipin që ndjek nga pas FC Barcelona në garën për titull.
Sipas mediave spanjolle, Klopp – aktualisht në një rol drejtues te Red Bull GmbH – do të kërkonte katër afrime të reja dhe katër largime. Mes emrave që përmenden si objektiva kryesorë është mesfushori i Manchester City, Rodri, i cilësuar si transferim prioritar.

Po ashtu, në listën e dëshirave përfshihen qendërmbrojtësi i Borussia Dortmund, Nico Schlotterbeck, mesfushori i Paris Saint-Germain , Vitinha, si dhe talenti ofensiv i Juventus, Kenan Yıldız.

Në anën tjetër, raportimet sugjerojnë se disa lojtarë aktualë mund të jenë drejt largimit për t’i hapur rrugë rindërtimit të skuadrës. Megjithatë, eksperti i merkatos Fabrizio Romano ka theksuar se Klopp është i fokusuar plotësisht në angazhimin e tij aktual dhe se, deri më tani, nuk ka pasur kontakte zyrtare nga drejtuesit madrilenë.
Situata mbetet e hapur, por në “Santiago Bernabéu” duket se vera pritet të jetë vendimtare për projektin e ri sportiv.

