Një tjetër ngjarje e rëndësishme sportive do të zhvillohet në Kosovë. Federata e Volejbollit e Kosovës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Volejbollit, ka fituar të drejtën për organizimin e Kampionatit Evropian U-16 për djem për vitin 2027.
Ky turne kontinental do të zhvillohet gjatë verës së vitit 2027 dhe ndeshjet do të luhen në dy qytete, në Prishtinë dhe në Tiranë. Kampionati pritet të mbledhë në një vend talentet më të mira të volejbollit evropian në këtë grupmoshë, duke e shndërruar rajonin në qendër të volejbollit të të rinjve për disa ditë.

Bashkëorganizimi i këtij eventi konsiderohet një arritje e rëndësishme për volejbollin kosovar dhe atë shqiptar, pasi dëshmon besimin e institucioneve evropiane të sportit për kapacitetin organizativ të dy federatave.
Ky Evropian pritet të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për promovimin e volejbollit dhe për zhvillimin e mëtejshëm të sportit tek të rinjtë në Kosovë dhe Shqipëri.

