Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka mësuar rivalin e mundshëm në raundin e tretë kualifikues për Botërorin 2027. Sipas shortit të hedhur në Herning të Danimarkës, përfaqësuesja jonë do të përballet me Ishujt Faroe, nëse arrin të kalojë me sukses fazën paraprake.
Para kësaj sfide, Kosova ka përpara një tjetër pengesë të rëndësishme. Në muajin mars, hendbollistët tanë do të ndeshen me Bosnjë-Hercegovinën në kuadër të raundit të dytë kualifikues. Vetëm në rast kualifikimi nga kjo përballje, Kosova do të sigurojë kalimin në fazën e tretë dhe të fundit, e cila zhvillohet në maj.
Përfaqësuesja kosovare e nisi me sukses këtë cikël kualifikues, pasi në raundin e parë arriti të eliminojë Britaninë e Madhe, duke mbajtur gjallë shpresat për një paraqitje historike në Kampionatin Botëror.

