Në Prishtinë ka përfunduar me sukses Kampionati i 19-të Mesdhetar për hendbollistet U16, ngjarje që për disa ditë e ktheu kryeqytetin në qendër të hendbollit mesdhetar.
Në finalen e zhvilluar të shtunën mbrëma, Kroacia triumfoi ndaj Spanja me rezultat 32:24, duke festuar titullin kampion. Pas ndeshjes finale u mbajt Ceremonia Mbyllëse, ku u shpërblyen tri kombëtaret më të mira, u ndanë çmimet për lojtaret më të dalluara të turneut, si dhe u nderuan gjyqtarët dhe delegatët.

Turneu nisi të hënën dhe gjatë gjithë javës u zhvilluan nga gjashtë ndeshje në ditë, me pjesëmarrjen e 12 përfaqësueseve kombëtare. Për hendbollistet e Kosovës, që kampionatin e mbyllën me fitore, kjo ishte një përvojë e vlefshme ndërkombëtare.
Nga drejtuesit e Konfederatës Mesdhetare, organizimi në Prishtinë u vlerësua me nota maksimale, duke e konsideruar kampionatin si një sukses të plotë sportiv dhe organizativ për kryeqytetin.

