Futboll Kombëtarja Sport

Kush është Rolando Maran? Trajneri i ri i Shqipërisë me mbi 250 ndeshje në Serie A

Rolando Maran është emri që do të drejtojë Kombëtaren shqiptare pas largimit të Sylvinho. Tekniku italian konsiderohet si një nga trajnerët më të njohur të shkollës italiane, me eksperiencë të gjatë në Serie A dhe me reputacion si specialist i organizimit taktik.

I lindur më 10 gusht 1963 në Trento, Maran e nisi rrugëtimin në futboll si mbrojtës, ndërsa periudha më e rëndësishme e karrierës së tij si lojtar lidhet me Chievo Verona. Me klubin veronez zhvilloi afro 300 ndeshje, duke qenë kapiten dhe një nga figurat kryesore në ngritjen historike të skuadrës nga Serie C2 deri në Serie B.

Pas tërheqjes nga futbolli, Maran nisi karrierën si trajner fillimisht si ndihmës te Chievo dhe Brescia, ndërsa më pas mori drejtimin e skuadrave të ndryshme në elitën italiane. Ai ka drejtuar mbi 250 ndeshje në Serie A dhe ka lënë gjurmë sidomos me Catania në sezonin 2012/13.

Në atë edicion, Maran e renditi Catanian në vendin e tetë në Serie A me 56 pikë, numri më i lartë i pikëve në historinë e klubit në elitën italiane.

Më vonë ai u rikthye te Chievo, ku për katër sezone radhazi siguroi mbijetesën në Serie A, duke ndërtuar një skuadër të organizuar dhe shumë të vështirë për ekipet e mëdha italiane. Gjithashtu ka drejtuar edhe Cagliari, Genoa, Pisa dhe sërish Brescian.

Nga ana taktike, Maran preferon skuadra kompakte dhe me disiplinë të lartë në fushë. Formacionet që ka përdorur më shpesh janë 4-3-1-2, 4-2-3-1 dhe 4-4-2 klasik. Pika më e fortë e tij konsiderohet faza defensive dhe organizimi i skuadrës pa top, ndërsa kërkon edhe tranzicion të shpejtë drejt sulmit sapo rikuperohet posedimi.

Mediat italiane theksojnë se Maran pëlqen mesfusha agresive dhe dinamike, me lojtarë që vrapojnë shumë dhe sakrifikojnë për grupin. Për këtë arsye, pritet që lojtarë si Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli të kenë rol të rëndësishëm në projektin e tij.

Një tjetër element që bie në sy te italiani është fakti se ai nuk i kushton rëndësi moshës së lojtarëve, por formës dhe gatishmërisë për të luftuar për skuadrën.

Me ardhjen e Maranit, Shqipëria pritet të nisë një epokë të re, ku objektivi kryesor mbetet kualifikimi historik në Botëror.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së