Një fitore me peshë të madhe është regjistruar sot në përmbyllje të javës së 20-të në Superliga e Kosovës, ku Malisheva ka triumfuar me rezultat 2:1 ndaj Ballkanit në Suharekë, duke i dhënë një tjetër dimension garës për kreun e tabelës.
Takimi nisi me epërsi për vendasit, të cilët kaluan të parët në avantazh përmes Bleart Tolajt. Megjithatë, reagimi i mysafirëve ishte i shpejtë dhe vendimtar. Samuel Opeh barazoi shifrat, ndërsa Assane Diatta përmbysi gjithçka brenda pjesës së parë, duke vulosur rezultatin që në fund doli të ishte përfundimtar.
Në pjesën e dytë, Ballkani tentoi të rikthehej në lojë dhe të shmangte humbjen në shtëpi, por Malisheva u tregua e organizuar në fazën mbrojtëse dhe efikase në menaxhimin e rezultatit, duke ruajtur avantazhin deri në fishkëllimën e fundit.
Me këtë triumf, Malisheva afrohet në vetëm tri pikë nga kreu i tabelës, duke hyrë fuqishëm në garën për titull. Ballkani mbetet në pozitën e parë, por tashmë me pikë të barabarta me Prishtinën, ndërsa Drita është vetëm një pikë larg dyshes kryesuese.
Gara për titull në elitën e futbollit kosovar po bëhet gjithnjë e më e ashpër, ndërsa pjesa pranverore pritet të sjellë një betejë të fortë deri në javët e fundit të kampionatit.

