Rey Manaj ka përjetuar një pritje madhështore nga tifozët e Sivassporit, duke u rikthyer në Turqi vetëm gjashtë muaj pas largimit drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vendosi të lërë pas një kontratë shumë fitimprurëse në Arabinë Saudite, për t’u rikthyer në një ambient ku kishte lënë gjurmë të thella.
Në momentin e mbërritjes së tij, Manaj u prit si një “hero” nga tifozët e skuadrës, të cilët e shohin rikthimin e tij si shpresën kryesore për ringritjen e ekipit dhe kthimin sa më të shpejtë në elitën e futbollit turk.
Sivasspori aktualisht renditet në vendin e 14-të në Ligën e Dytë të Turqisë, me 29 pikë, ndërsa objektivi i klubit mbetet rindërtimi i skuadrës dhe lufta për pozita më të larta në renditje. Për këtë arsye, afrimi i Manajt shihet si një lëvizje kyçe në merkato, duke pasur parasysh përvojën dhe aftësitë e tij realizuese.
Tifozët shpresojnë që kontributi i sulmuesit shqiptar të jetë vendimtar në pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa vetë Manaj ka shprehur gatishmërinë për të dhënë maksimumin dhe për të udhëhequr skuadrën drejt objektivave të saj.

Një rikthim me emocione, pritshmëri të larta dhe një mision të qartë: rikthimin e Sivassporit aty ku i takon.

