Manchester United ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për një vend në UEFA Champions League, pasi mposhti rivalin direkt Aston Villa me rezultatin 3-1 në Old Trafford.
Takimi i vlefshëm për javën e 30-të të Premier League nisi me një pjesë të parë të qetë, ku të dy skuadrat krijuan pak raste konkrete dhe rrjetat mbetën të paprekura deri në pushim.
Gjithçka ndryshoi pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes. Në minutën e 53-të, mesfushori brazilian Casemiro zhbllokoi rezultatin me një goditje të saktë pas një asistimi nga këndorja të kapitenit Bruno Fernandes.
Megjithatë, reagimi i mysafirëve nuk vonoi shumë. Në minutën e 64-t, Ross Barkley riktheu baraspeshën për Aston Villën, duke e bërë ndeshjen sërish të hapur.
Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick reagoi shpejt dhe rifitoi avantazhin në minutën e 71-të, kur braziliani Matheus Cunha shënoi pas një tjetër asistimi të Bruno Fernandesit.

Fitoren e “Djajve të Kuq” e vulosi sulmuesi Benjamin Šeško në minutën e 81-të, vetëm pak minuta pasi kishte hyrë në fushë nga stoli, duke vendosur shifrat përfundimtare 3-1.
Falë këtij triumfi, Manchester United forcon vendin e tretë në tabelë me 54 pikë, duke krijuar një diferencë prej tre pikësh ndaj Aston Villës që ka 51. Në krye të renditjes vazhdon të qëndrojë Arsenal me 70 pikë, ndërsa Manchester City mban vendin e dytë me 61 pikë.


