Mesfushori me prejardhje nga Kosova, Dion Kacuri, duket se nuk është i kënaqur me situatën e tij te FC Basel dhe po shqyrton mundësinë e largimit nga klubi.
Sipas raportimeve të mediave zvicerane, përfshirë “4-4-2”, 22-vjeçari ka shprehur pakënaqësi për minutat e kufizuara që ka marrë këtë sezon në Swiss Super League. Deri tani, Kacuri ka regjistruar vetëm pesë paraqitje në kampionat, duke grumbulluar gjithsej 278 minuta në fushë.
Situata e tij u rikthye në qendër të vëmendjes edhe në ndeshjen e fundit që Baseli e fitoi 2-1 ndaj Lausanne-Sport, pasi mesfushori u aktivizua me ekipin e dytë të klubit.
Raportet nga Zvicra bëjnë të ditur se Kacuri kishte kërkuar të largohej që gjatë verës së kaluar, por disa probleme me lëndime e kishin penguar realizimin e këtij transferimi. Edhe gjatë afatit kalimtar të dimrit ai ka tentuar sërish të gjejë një skuadër të re, madje duke angazhuar edhe disa agjentë për të shqyrtuar opsionet e mundshme, por pa arritur një marrëveshje konkrete.

Megjithatë, kontrata e tij me Baselin është e vlefshme deri në vitin 2028, çka e bën të pamundur një largim të menjëhershëm. Për momentin, gjasat janë që Kacuri të vazhdojë të aktivizohet kryesisht me ekipin e dytë, përveç rasteve kur do të ketë mungesa apo lëndime në skuadrën e parë të klubit zviceran.

