Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te sfida më e rëndësishme në historinë e Kombëtares së Kosovës, tashmë është konfirmuar edhe arbitri që do të ndajë drejtësinë në finalen e “play-off”-it ndaj Turqisë.
UEFA i ka besuar këtë përballje gjyqtarit të njohur anglez, Michael Oliver, një prej arbitrave më me përvojë në arenën ndërkombëtare.
Takimi vendimtar do të zhvillohet më 31 mars, nga ora 20:45, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme.
Në këtë ndeshje, Oliver do të asistohet nga bashkëkombësit e tij, Stuart Burt dhe James Mainwaring, ndërsa rolin e gjyqtarit të katërt do ta ketë Chris Kavanagh.
Përballja Kosovë–Turqi do të vendosë ekipin që siguron një vend në Kupa e Botës FIFA 2026, ku fituesi do t’i bashkohet grupeve të turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.

