AC Milan ka nisur lëvizjet për të siguruar të ardhmen e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, duke diskutuar mundësinë e rinovimit të kontratës së Rafael Leao.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubit kanë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e sulmuesit portugez për një zgjatje të re të marrëveshjes.Leao, i cili u transferua te Milani në vitin 2019, firmosi një kontratë të re në vitin 2023 që e lidh me “Rossonerët” deri në verën e vitit 2028.
Aktualisht, ai përfiton rreth 5.5 milionë euro neto në sezon, pa përfshirë bonuset, duke qenë ndër futbollistët më të paguar në “San Siro”. Një marrëveshje e re pritet të sjellë përmirësim të kushteve financiare, në përpjekje për të larguar interesimin që vjen nga klubet e Premier League dhe nga Saudi Pro League.
Në aspektin sportiv, Leao po kalon një sezon të suksesshëm. Ai ka realizuar nëntë gola në Serie A, duke tejkaluar shifrën e sezonit të kaluar (tetë gola), dhe këtë herë me 14 ndeshje më pak. Forma e tij e qëndrueshme dhe ndikimi në lojë kanë bërë që ai të shihet gjithnjë e më shumë si lider i ekipit.
Portugezi pritet të jetë figura kryesore e sulmit të Milanit në përballjen e madhe të fundjavës në Derby della Madonnina ndaj Inter Milan, një sfidë që vetë Leao e ka cilësuar si “jetë a vdekje” për objektivat e sezonit.

