Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu, ka analizuar barazimin 1-1 në transfertë ndaj Vorës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Superiores, duke vlerësuar reagimin, energjinë dhe karakterin e skuadrës së tij.
Tekniku bardheblu u ndal fillimisht te rrjedha e lojës, duke theksuar ekuilibrin në pjesën e parë dhe dominimin e Tiranës në fraksionin e dytë të takimit.
“Pjesa e parë ishte e kujdesshme dhe e barabartë nga të dyja skuadrat. I dhamë pak më shumë hapësirë kundërshtarit, por mendoj se ishte një pjesë e drejtë. Në të dytën, skuadra jonë meritonte më shumë, pasi patëm edhe mundësinë për ta dyfishuar rezultatin”, u shpreh Nuhiu.
Ai vlerësoi presionin dhe agresivitetin e lojtarëve, që sipas tij ndikuan drejtpërdrejt në krijimin e rasteve.
“Na shpërbleu agresiviteti. Detyruam kundërshtarin të gabojë, por humbja e topit dhe loja e shpejtë e Vorës, si edhe fakti që topi u kthye nga shtylla, ndikuan në rezultatin final”, shtoi trajneri i Tiranës.
Nuhiu foli edhe për paraqitjen individuale të disa lojtarëve dhe energjinë e treguar nga ekipi gjatë gjithë ndeshjes.
“Rafa dhe Patrik lëvizën shumë mirë. Doja ta kisha edhe Alvarez në fushë për shërbimin e topave. Ekipi vrapoi dhe tregoi energji, por te goli duhet të ishim më agresivë dhe të mos lejonim krosimin e kundërshtarit”, theksoi ai.
Në fund, trajneri bardheblu u shfaq optimist për vazhdimësinë e sezonit dhe besimin te grupi.
“Kam besim të plotë te ky grup. Dy pikët që lamë sot do t’i rikuperojmë ndaj skuadrave të kreut. Me kalimin e kohës, lojtarët do të arrijnë gjendjen optimale fizike dhe do të krijojnë më shumë raste. Më pëlqen mënyra si po qarkullojmë topin dhe si po shkojmë drejt portës kundërshtare”, përfundoi Nuhiu.

