Skuadra e Ferrarit do të jetë pa Team Principal-in Fred Vasseur gjatë provave zyrtare të Çmimit të Madh të Monacos, pasi francezi është shtruar në spital për shkak të disa shqetësimeve shëndetësore.
Sipas njoftimit të ekipit italian, Vasseur ka shfaqur probleme gjatë natës dhe aktualisht po qëndron nën mbikëqyrjen e mjekëve, duke munguar kështu në pistë në një fundjavë shumë të rëndësishme për Ferrarin.
Lajmi vjen në një moment kur “kokëkuqja” po tregon formë të shkëlqyer në Principatë. Charles Leclerc dominoi sesionin e parë të provave të lira, ndërsa në sesionin e dytë më i shpejti ishte Lewis Hamilton.
Paraqitjet e dy pilotëve kanë rritur optimizmin në kampin italian, duke treguar se Ferrari mund të jetë një pretendent serioz për sukses në Monaco dhe një rival i fortë për ekipet kryesore të kampionatit.
Ndërkohë, skuadra shpreson që Vasseur të rikuperohet sa më shpejt dhe t’i rikthehet detyrës së tij në vijim të fundjavës së garave.

