Albian Hajdari po kalon një periudhë shumë të mirë me Hoffenheimin në Bundesligë, duke u shndërruar në një nga pikat kyçe të repartit defensiv. Mbrojtësi 22-vjeçar ka folur së fundmi për kanalin zyrtar të klubit gjerman, ku ka ndarë momente të rëndësishme nga karriera e tij, përfshirë edhe eksperiencën te Juventusi.
Hajdari u ndal veçanërisht te koha e kaluar në Torino, ku pati fatin të stërvitej përkrah Cristiano Ronaldos, ndonëse nuk arriti të debutojë me ekipin e parë të “Zonjës së Vjetër”.
“Nga ana sportive, Juventusi nuk ishte një përvojë e mirë për mua, por si person më ka formuar shumë. Isha vetëm 18 vjeç, në një vend tjetër, me kulturë dhe gjuhë të re, larg familjes dhe miqve. Nuk ishte e lehtë, por në retrospektivë më ka ndihmuar shumë”, u shpreh Hajdari.

Ai tregoi se si adoleshent ishte e vështirë të komunikonte me yje të mëdhenj të futbollit botëror, por theksoi se ata gjithmonë e kanë mbështetur dhe ndihmuar.
Një moment i veçantë për Hajdarin mbetet marrëdhënia me Cristiano Ronaldon, me të cilin ndante shpesh momente para stërvitjeve.
“Isha me shumë fat. Edhe pse për një kohë të shkurtër, mund të them se kam qenë bashkëlojtar i tij. Çdo mëngjes bënim ushtrime në palestër dhe shpesh ishim në biçikleta në të njëjtën kohë. Flisnim rreth 20 minuta për gjëra të ndryshme. Ishte një privilegj i madh.”
Hajdari zbuloi edhe këshillën që mori nga ylli portugez: “Ronaldo më tha se duhet të përqendrohem vetëm te futbolli, sepse koha për të luajtur është e kufizuar. Duhet ta shfrytëzosh atë maksimalisht. Njerëzit dhe shokët vijnë e shkojnë, ndërsa gjëja më e rëndësishme është familja.”

Kujtojmë se vitin e kaluar, Albian Hajdari vendosi të largohej nga përfaqësuesja e Zvicrës dhe të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij ndërkombëtare.

