Real Madrid duket se po planifikon një lëvizje që mund të rikthejë tensionin e njohur të “El Clasico”. 26 vite pas transferimit historik të Luis Figos nga Barcelona në “Bernabéu”, presidenti Florentino Perez po synon një tjetër lojtar të madh të katalanasve: Pedri.
Sipas “El Desmarque” (përmes “Sempre Barca”), Perez e sheh mesfushorin 23-vjeçar si përforcimin ideal për Realin. Pedri konsiderohet një nga mesfushorët më të mirë në botë në pozicionin e tij dhe do të zgjidhte një nevojë të madhe të “Los Blancos”, të cilët prej pensionimit të Toni Kroos në 2024, kanë kërkuar një mesfushor qendror cilësor.

Real Madrid ka lidhur emra si Rodri Hernandez dhe Vitinha me këtë pozicion, por Pedri mbetet opsioni i ëndrrave. Raportohet se Madridin do të tentojë transferimin e tij verën e vitit 2027, duke synuar jo vetëm të përforcojë skuadrën, por edhe të dobësojë rivalin e përjetshëm, Barcelonën.
Megjithatë, situata nuk është e thjeshtë. Pedri ka një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh dhe kontrata e tij ka edhe katër vite, gjë që e bën praktikisht të pamundur largimin e tij pa marrëveshje të jashtëzakonshme. Barcelona ka bërë të qartë se mesfushori nuk është për shitje. Megjithatë, Florentino Perez vazhdon të ëndërrojë për një transferim që do të shkaktonte një tronditje të madhe në futbollin spanjoll dhe në historinë e rivalitetit mes Real Madridit dhe Barcelonës.

