Tirana ka marrë një sinjal shqetësues në prag të ndeshjeve të radhës, pasi kapiteni dhe sulmuesi kryesor Redon Xhixha u detyrua të lërë fushën i dëmtuar në përballjen ndaj Egnatias.
26-vjeçari u aktivizua vetëm për 45 minuta, duke u zëvendësuar në pushimin e ndeshjes për shkak të një tërheqjeje muskulore. Menjëherë pas takimit, Xhixha ka nisur fazën e rikuperimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit, me synimin për t’u kthyer sa më shpejt në dispozicion të skuadrës.
Si pasojë e këtij dëmtimi, aktivizimi i tij në ndeshjen e radhës ndaj Dinamos konsiderohet i pamundur, çka përbën një mungesë të rëndësishme për bardheblutë. Megjithatë, lajmi pozitiv është se vetë lojtari dhe stafi teknik po punojnë me fokus të plotë që Xhixha të jetë i gatshëm për derbin ndaj Partizanit, sfidën më të rëndësishme të futbollit shqiptar.
Kapiteni i Tiranës e ka vendosur këtë përballje si objektivin kryesor të rikthimit, teksa pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për gjendjen e tij fizike dhe vendimin përfundimtar të stafit mjekësor.

