Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimsiti, pritet të jetë një nga emrat më të përfolur në merkato gjatë verës. Mbrojtësi aktual i Atalantës është në muajt e fundit të kontratës dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij në Bergamo.
Sipas raportimeve nga Italia, në rast largimi nga Atalanta, interesimi për Gjimsitin nuk do të mungojë. Një nga klubet që po e ndjek me vëmendje situatën është Fiorentina, me drejtorin sportiv Fabio Paratiçi që po planifikon përforcimet për sezonin e ardhshëm dhe e sheh shqiptarin si një opsion të vlefshëm për repartin defensiv.
Përvoja e tij në Serie A dhe stabiliteti që ka treguar ndër vite e bëjnë Gjimsitin një profil shumë të kërkuar, sidomos nëse transferohet si lojtar i lirë. Një lëvizje e tillë do të ishte e favorshme për shumë klube italiane që synojnë përforcime cilësore pa kosto transferimi.
Ndërkohë, në të kaluarën, mbrojtësi shqiptar ka refuzuar oferta të rëndësishme financiare nga Lindja e Mesme, duke zgjedhur të qëndrojë në elitën e futbollit italian. Kjo tregon qartë prioritetin e tij për nivelin sportiv mbi përfitimet ekonomike.

