Hetimet ndaj arbitrave në Itali kanë marrë një kthesë të re, pas publikimit të një bisede telefonike mes kreut të arbitrave, Gianluca Rocchi, dhe supervizorit të VAR-it, Andrea Gervasoni.
Në këtë bisedë, e zhvilluar në prill të vitit 2025, Rocchi shprehet se “ata nuk duan ta shohin më atë arbitër”, një deklaratë që tashmë është bërë pjesë e dosjes hetimore për dyshime mbi ndërhyrje dhe ndikim në vendimmarrje.
Edhe pse nuk përmenden emra konkretë, hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për pakënaqësi të shfaqura nga palë të interesuara gjatë një takimi në stadiumin San Siro, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Italisë më 2 prill. Në qendër të kritikave thuhet se ishte arbitri Daniele Doveri, i cili vetëm tri ditë më vonë u caktua të gjykonte ndeshjen Parma–Inter në kampionat.
Gjatë bisedës përmendet edhe një emër tjetër, “Giorgio”, çka ka shtyrë Prokurorinë të dyshojë se bëhet fjalë për Giorgio Schenone, një figurë e lidhur me klubin zikaltër dhe komunikimin me arbitrimin.
Megjithatë, Gjykata gjatë verës së vitit 2025 ka vlerësuar se nga përgjimet nuk kanë dalë prova të mjaftueshme për të zgjeruar më tej hetimet, duke refuzuar kërkesën për vazhdimin e tyre.

