Donjeta Sadiku i ka dhënë fund garës në Kupën e Botës në boks, që po mbahet në Brazil, pas një dueli tejet të fortë dhe të balancuar në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Boksierja kosovare u përball me polaken Aneta Elzbieta Rygielska në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shkëmbime të vazhdueshme gjatë tre raundeve, ku të dyja sportistet treguan nivel të lartë konkurrimi.
Vendimi i gjyqtarëve ishte i ndarë dhe shumë i diskutueshëm, me tre prej tyre që ia dhanë fitoren boksieres polake, ndërsa dy të tjerë vlerësuan Sadikun si fituese. Në përfundim, rezultati 3:2 i siguroi Rygielskas kalimin në fazën tjetër të garës.
Pavarësisht eliminimit, Sadiku dëshmoi edhe një herë cilësi të lartë dhe paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare, duke konfirmuar potencialin e saj në skenën botërore të boksit.

